Festivali i Mantovës përzgjedh Tiranën si protagoniste me 200 vepra shqiptare dhe botërore

Një vend kontrastesh të forta, mes Lindjes dhe Perëndimit, ku përplasen kultura të ndryshme, me një të histori për të treguar, Tirana, një qytet në libra, është e përzgjedhur si protagoniste në Festivaletteratura 2019, që do të zhvillohet në Mantova të Italisë nga data 4-8 shtator.

E lumtur të ndaj me ju lajmin, se një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në Piazza Sordello, nën kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit e pedagogut, Luca Scarlini. Në këtë bibliotekë librash gjenden vepra artistike, eseistike, shënimi udhëtimi të autorëve Dritëro Agolli, Girolamo De Rada, Elvira Dones, Gëzim Hajdari, Ismail Kadare, Alexander Langer, Indro Montanelli, Besnik Mustafaj, Mario Rigoni Stern, etj.

Gjatë ditëve të festivalit, do të jenë të pranishëm në stendën dedikuar Tiranës, shkrimtarët Fatos Kongoli e Virgjil Muçi. Nuk do të mungojë një rrëfim i arkitektes Elisabetta Terragni mbi Muzeun e Gjetheve dhe Shtëpinë-Muze “Kadare”. E ftuar është edhe këngëtarja Elina Duni.

Ky aktivitet zhvillohet këtë vit edhe me mbështetjen e Ministrisë Shqiptare të Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës.
Prej vitit 1997, Festivaletteratura ëhstë një prej ngjarjeve kulturore, më të rëndësishme në Itali. Përgjatë 5 ditëve të festivalit zhvillohen takime me autorë nga e gjithë bota, lexime, koncerte etj.

Shqiptarja.com