“Festoni me zemër, jo me armë”, Sveçla dhe Osmani vizitojnë policët e zjarrfikësit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Presidentja, Vjosa Osmani, në ditën e fundit të vitit kanë vizituar Policinë e Kosovës dhe Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë.

Sveçla falënderoj zyrtarët policorë dhe zjarrfikësit për angazhimin e tyre gjatë gjithë vitit.

“Bashkë me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu sot kemi vizituar Policinë e Kosovës dhe Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë. Zyrtarët policorë dhe Zjarrfikësit sonte do të jenë në detyrë për sigurinë e të gjithë qytetarëve edhe pse do të jetë festë”.

“Gjej rastin të falënderoj të gjithë zyrtarët policor, zjarrfikësit, zyrtarët e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për punën dhe angazhimin e tyre përgjatë gjithë këtij viti. Bashkë do të vazhdojmë punën edhe më intensivisht por më i rëndësishmi mbetet shëndeti juaj dhe i gjithë qytetarëve tanë. Ne po përballemi me variant të ri të virusit Covid-19 andaj ju lutem për kujdes ndaj vetes, të afërmve tuaj dhe qytetarëve tanë”.

Sveçla dhe Osmani mes tjerash apeluan për kujdes sonte.

“Apeloj për kujdes maksimal në natën e sotme të ndërrimit të motmotit. Festoni me zemër, me dashuri e ngrohtësi me ata që i keni pranë dhe jo me armë që të rrezikoni jetën e tyre. Uroj për një vit të shëndetshëm, të suksesshëm e prosperues për të gjithë ju. Gëzuar!”, ka shkruar Sveçla.