A do ta votojë opozita Projektligjin për Paga? Flasin deputetët Bytyqi e Haliti

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar Projektligjin për Pagat.

Ky Projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave për të gjithë personat që paguhen nga buxheti i shtetit.

Projektligji për Pagat duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës dhe hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Opozita ende nuk ka qëndrim të qartë për votimin e këtij Projektligji.

Albana Bytyqi nga AAK-ja ka thënë se kjo parti e voton nëse ky Projektligj trajton në mënyrë të dinjitetshme zyrtarët publikë.

Bytyqi tha për Front Online se kanë kërkuar që me urgjencë të përcaktohet vlera e koeficientit.

“Projektligji për zyrtarët publikë do të votohet nga ne vetëm nëse ky projektligj trajton në mënyrë të dinjitetshme zyrtarët publikë e që bëhet fjalë për 80 mijë punëtorë të administratës. Realisht ende është e mjegullt kjo situatë pasi mos përcaktimi i koeficientit nuk është bërë ende e po ashtu nga analizimi i buxhetit kemi pa se as që bëhet fjalë për rritjen e pagave në sektorin publik. Ne, kemi kërkuar që me urgjencë të përcaktohet vlera dhe pastaj edhe të shohim se çka sjell saktësisht ky projektligj”, theksoi Bytyqi për Front Online.

Deputetja e AAK-së tha se Kurti ua ka humbur shpresat qytetarëve me mos ngritjen e pagave.

“Në kohë inflacioni dhe me deklaratat e kryeministrit se nuk do të bëjë rritje pagash u janë humb shpresat qytetarëve tanë të cilët kanë nevojë për dorën e shtetit që në këtë kohë krize ta përballojnë më lehtë dhe jo me krenari të trumbeton se nuk ka ardh në pushtet me premtimin për rritje pagash”, u shpreh ajo.

Ndryshe nga deputetja Bytyqi, Xhavit Haliti i PDK-së thotë se duhet të votohet Projektligji për Pagat.

Ai thotë për Front Online se PDK-ja ende nuk ka vendim për këtë çështje.

“Nuk jam i sigurt a do ta votojmë si grup parlamentar, do ta bisedojmë në mbledhjen e ardhshme dhe do të vendosim. Por unë mendoj që duhet të votohet”, tha Haliti për Front Online.

Në projektligjin e miratuar më 23 nëntor, nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”.