Fillojnë hetimet për zjarrfikësit që dolën në foto para një shtëpie teksa digjej natën e Vitit të Ri

Në publik ka shkaktuar një mori reagimesh, fotografia e një skuadre të zjarrfikësve, të cilët kanë shkrepur një fotografi duke qeshur, teksa një shtëpi po digjej në Detroit.

Fotografia u publikua në faqen e Departamentit të Zjarrfikësve në Detroit me mbishkrimin “Grupi gjeti një moment për të bërë fotografi për Vitin e Ri” dhe reagimet në internet ishin të menjëhershme.

Zjarrfikësit u munduan të justifikoheshin duke thënë se fotoja u bë për t’i dhënë lamtumirën një drejtuesi të brigadës që dilte në pension. Por, komisioneri për Zjarret në Detroit, Eric Jones, u shpreh se ka shumë mënyra të tjera për të përshëndetur një koleg dhe ajo përpara një shtëpie që digjet nuk është e duhura. Sipas tij, pas çdo shtëpie të djegur është një familje që vuan. Ai shtoi se një hetim është hapur për këtë çështje dhe nëse do të shihet e arsyeshme do të merren dhe masa.

Mediat raportojnë se në momentin kur ka ndodhur zjarri nuk kishte njerëz brenda./Gazeta Sinjali/