Fillojnë përçarjet në LDK: Deputetja thotë se do ta votojë Osmanin për presidente, fton bashkëpartiakët ta bëjnë të njëjtën gjë

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente.

Në një bisedë telefonike në televizionin “Kanal 10”, ajo ka thënë se të gjithë deputetët e LDK-së duhet të qëndrojnë në sallë, e madje edhe ta votojnë atë.

“LDK-ja e ka kryetarin e ri tani, organet e reja, dhe ne si deputetë bashkërisht do të marrim vendimin [për çështjen e votimit të presidentit]. Po pritet një takim mes Abdixhikut dhe Osmanit, dhe ne do ta japim qëndrimin tonë karshi zgjedhjes së presidentes së Kosovës. Unë personalisht mendoj se ne duhet të qëndrojmë në sallë dhe të votojmë pro zonjës Osmani sepse qytetarët mendoj që ia dhanë mundësinë që ajo të jetë presidente e Kosovës. Personalisht e kam pasur këtë qëndrim dhe vazhdoj ta mbajë të njëjtin”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Vlen të theksohet se Bunjaku-Rexhepi vjen nga qyteti i Gjilanit dhe konsiderohet si njeri i afërt me Lutfi Hazirin brenda strukturave të LDK-së.

Haziri ditë më parë kishte deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të ketë votë për Vjosa Osmanin derisa kryetari Abdixhiku kishte thënë se LDK nuk ka votë për president partiak.