Fillon takimi mes Kurtit dhe Lajçakut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po zhvillojnë një takim në Prishtinë.

Takimi, i cilësuar drekë pune, po mbahet në një restorant në kryeqytetin e Kosovës.

Në takimin me emisarin evropian Kurti po shoqërohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë ndodh në kohën e rritjes së kërkesave nga faktori ndërkombëtar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë për takime në Beograd.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015 por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha më 2015 se marrëveshjet nuk ishin plotësisht në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit, por që mund të harmonizohen.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se tani është koha të themelohet Asociacioni, duke insistuar se Uashingtoni nuk do të përkrahë një asociacion që do t’i ngjasonte Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.