Fluks i madh i bashkatdhetarëve në pikat kufitare, pritje të gjata në Merdare (orari nëpër pika)

Numri i madh i bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore, si gjithmonë edhe këtë vit ka shkaktuar kolona dhe pritje të gjata në pikë kalimet kufitare.

Për shkak të fluksit të madh, pritje dhe kolona të gjata janë raportuar edhe në orët e mëngjesit të sotëm në pikat kufitare, e sidomos në Merdare.

Sipas Qendrës për Menaxhim Kufitar, pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdare janë 2 orë deri në 2 orë e 30 minuta, ndërkaq për të hyrë në Kosovë përmes kësaj pike, pritja është 5 deri në 10 minuta.

Gjatësia e kolonës së automjeteve në këtë pikë kufitare për të hyrë në Kosovë është 50-70 metra kurse për të dalë 1500 metra.

Pritje më të vogla ka në pikë kalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.

Në pikën kufitare Dheu i Bardhë pritjet për të hyrë në Kosovë janë 1 orë ndërkaq për të dalë 5 deri 10 minuta.

Kurse në Muçibabë pikë kjo e cila frekuentohet më pak nga bashkatdhetarët, pritja për të dalë dhe hyrë nga Kosova është 3 deri 5 minuta.