Policia thotë se kanë nisur pjesëtarë drejt Karaçevës me të marrë informacionin që është futur xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës

Policia e Kosovës tha se me të marrë informacionin se xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës, ka dërguar njësitet policore në këtë vend për të patrulluar, por se nuk kanë gjetur ndonjë ushtar serb.

Policia ka thënë se në zonën e Karaçevës mandatin e sigurisë e ka KFOR-i.

“Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar tek vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë”.

“Njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë. Po ashtu është njoftuar edhe KFOR-i, pasi që mandatin e sigurisë së zonës së kufirit me Serbinë, ende e ka KFOR-i”.