FOKUS – May e paepur, kërkon sërish votim për Brexit

Kryeministrja britanike, Theresa May nuk duket se është dorëzuar edhe pas humbjes së tretë dje në Dhomën e Komuneve për largimin nga BE me marrëveshje, konfirmuan burime nga Downing Street, të cituara nga media.

Këto burime këmbëngulën se May nuk beson se gjithçka ka përfunduar, ashtu siç i kërkon opozita dhe po kërkon të gjejë sërish konsensus në parlamentin britanik.

Zvogëlimi i diferencës së votimit në këtë humbje, nga 203 vota në janar në 58 dje, për këto burime do të thotë se po shkohet në drejtimin e duhur edhe pse BE shkurtoi kohën e largimit nga 22 maji në 12 prill.

Aktualisht, plani i qeverisë është të provojë edhe një herë ringjalljen e marrëveshjes, javën e ardhshme në Westminster, në një balotazh me planin B alternativ e iniciativës parlamentare, që do të duhet të dalë nga një seancë e re votimi.

”Ka shumë mundësi që Theresa May ta riprovojë”, konfirmon Laura Kuenssberg, shefe e politikës në BBC.

”Por, ky është një vendim i marrë në bunker, ndërkohë që laku po ngushtohet”, paralajmëron ajo.