Fondacioni për Thaçin me video të veçantë për Masakrën e Reçakut

Faqja zyrtare e Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, me një video të veçantë ka kujtuar viktimat e gjenocidit serb dhe nderimet që ish-presidenti Thaçi i bënte atje për çdo 15 janar.

Në këtë video, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ish-presidenti Thaçi thotë se drejtësia ndërkombëtare ka heshtur përballë gjenocidit dhe pastrimit etnik që ka ndodhur në Kosovë për të mos ia prishur qejfin Serbisë.

“Edhe kjo masakër, sikur gjithë masakrat, do të jenë ato që do të kërkojmë vazhdimisht të zbardhen. Dua të shpreh revoltën time që edhe sot drejtësia ndërkombëtare për fat të keq, duke mos dashur që t’ia prish qejfin Serbisë, ka heshtur për zbardhjen e 400 masakrave të kryera në Kosovë. Masakra e Reçakut, Izbicës, Krushës e shumë e shumë të tjera. Ka heshtur drejtësia ndërkombëtare edhe në rastin e dhunimit të 20 mijë grave shqiptare, të dëbimit të 800 mijë shqiptareve nga Kosova. Sido që të jetë, rrugëtimi jonë është ai euroatlantik. Do të punojë fuqishëm që ta forcojmë edhe më tepër shtetin tone, por gjithmonë duke kërkuar drejtësinë që shteti i Serbisë duhet t’i japë llogari herët apo vonë për gjenocidin dhe pastrimin etnik që ka kryer”, ka thënë ai.

Kjo faqe edhe ditë më parë ka pasur postime që ndërlidhen me aktivitetet e ish-presidentit Thaçi, si lider politik, ish-kryeministër dhe ish-president.