Formacioni i mundshëm i Shqipërisë kundër Norvegjisë (Foto)

0
324

Rikthehen në fushë kuqezinjtë për të dhuruar të tjera emocione, pavarësisht se nuk është ndeshje eliminatore. Sonte, në orën 19:00, në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja miqësore në mes Shqipërisë dhe Norvegjisë.

Kjo është sfida e parë e kuqezinjve për vitin 2018, ndaj trajneri Christian Panucci do të ketë mundësi t’i shohë lojtarët e tij në veprim, ndaj një kundërshtari të fortë. Jo më kot, vetë lojtarët e kombëtares, në konferencat për shtyp, e kanë konsideruar më shumë se miqësore ballafaqimin e sotëm.

Panucci ka thënë hapur se do të luajë në sulm, jo duke parë mbrapa, sepse “për të fituar duhet sulmuar”. Moduli që ka zgjedhur ai është 4-3-3, duke nisur me portën, që do të mbrohet nga Strakosha.

Përpara Strakoshës do të vendosen katër mbrojtës. Ajeti dhe Mavraj në qendër, ndërsa Hysaj dhe Lenjani nga e djathta në të majtë. Sikurse duket, Ajeti ka fituar balotazhin me Gjimshitin, ndërsa Lenajni ka lënë në stol Alijin.

Pika më nevralgjike, ku Panucci do të provojë dhe eksperimentojë është e majta e mbrojtjes, ku ka qenë përherë “pronar” Ansi Agolli. Ky i fundit, nuk është thirrur për këtë miqësore dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë më në kombëtare, në kuadrin e rinovimit.

Mesfusha do të përbëhet nga tre kuqezinj. Në qendër do të luajë Ramadani, që starton për herë të parë si titullar, duke pasur nga krahët Xhakën dhe Qaka, nga e majta në të djathtë.

Në majën e sulmit do të luajë Sadiku, edhe pse nuk ka pasur minutat e duhura aktivizim në klubin e tij. Megjithatë, elbasanasi ka superuar rivalitetin e Balajt dhe Cikalleshit, të cilët mund të kenë minuta në këtë miqësore me kalimin e kohës.

Nga krahët do të “patrullojnë” Roshi dhe Grezda, nga e djathta në të majtë. Të dy këta lojtarë të shpejtë kanë për detyrë të asistojnë Sadikun, në rolin e finalizuesit të spikatur.