Ferizaj ndalon ekskurzionet e nxënësve të shkollave të mesme

Pas shqetësimeve të shumta nga ana e prindërve për organizim të dobët dhe menaxhim jo të mirë, Komuna e Ferizajt ka marrë vendim për ndalimin e organizmit të ekskursioneve për nxënësit e shkollave të mesme jashtë vendit.

Zyrtarë të Ministrisë se Arsimit theksuan se vendimi për ndalimin ose jo të ekskursioneve të nxënësve jashtë vendit, është kompetencë e Drejtorive Komunale.

Ekskursionet e maturantëve të organizuara viteve të fundit janë përcjellë me shumë pakënaqësi nga ana e prindërve për organizim dhe menaxhim jo të mirë të situatave. Se ka mungesë të menaxhimit dhe se ka pasur sjellje jo të mira nga ana e nxënësve gjatë ekskursioneve të tilla, e thotë për Radio Kosovën përfaqësuesi i prindërve në Komunën e Ferizajt, Visar Islami.

“E para është që gjatë ekskursioneve shkollat nuk janë duke i menaxhuar mirë situatat. Nëse një shkollë i ka gjashtëqind e pesëdhjetë nxënës, është numër i madh, nuk ka mundësi të menaxhohet si duhet. Dhe për sa i përket shpenzimeve janë shpenzime enorme, ku shumica prej prindërve janë duke bërë shpenzime pa nevojë. E treta është që po përdorin gjithçka atje, po përdorin marihuane. Realisht na po i dëmtojnë fëmijët, po i humbim.”

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha për Radio Kosovën se pas takimeve me këshillat e prindërve dhe shumë vërejtjeve rreth organizimit, është marrë vendim për anulimin e të gjitha ekskursioneve jashtë vendit.

“ Pas takimeve që kemi pasur me këshillat e prindërve në nivel të shkollave dhe shqetësimeve që kanë ngritur në vazhdimësi, kanë kërkuar prej kryetarit të komunës dhe prej drejtorisë së arsimit, që të shqyrtohet kërkesa e tyre dhe të përkrahet për anulimin e ekskursioneve. Ne e kemi parë që ka pasur shumë vërejtje në organizimin dhe menaxhimin e tyre.”

Në lidhje me këtë, Ministria e Arsimit në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se kompetencat për organizimin e ekskursioneve janë në kompetencë të komunave.
Që nga paslufta shkollat e mesme në Kosovë kanë filluar të organizojnë ekskursione për maturantë dhe pothuajse të gjitha kanë destinacion Shqipërinë. Por gjatë këtyre organizimeve ka pasur incidente dhe pakënaqësi të shumta nga ana e prindërve, qoftë për menaxhim apo edhe për kushte jo adekuate gjatë qëndrimit krahasuar me çmimin që paguajnë./Radio Kosova/