Abdixhiku e quan axhami Kurtin: U bë lajm në media ndërkombëtare për luftë, e jo për investime

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti i cili sot foli për mundësitë e një lufte të re në Kosovë.

Sipas kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot, teksa shtoi se jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë.

“Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, tha deputeti opozitar.

Për Abdixhikun, Kurti e dëshiron krizën dhe e ëndërron protagonizmin te paniku.

“Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?! Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, shkroi Abdixhiku.

“Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërretë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë”, përfundoi Abdixhiku në rrjetin e tij social “Facebook”.