Fshati Hallaq i Lipjanit në hall me komunën: Kjo është arsyeja

Fshati Hallaq i Madh në Komunën e Lipjanit qysh para gjashtë viteve është pajisur me rrjetin e kanalizimit nëpër prona private, pa pëlqimin e pronarëve.

Siç raporton KTV, gjatë vitit 2017, njëri nga pronarët e kishte paditur Komunën dhe kishte fituar rastin në Gjykatën Themelore të Lipjanit.

Mirëpo, edhe pse Gjykata Themelore obligon këtë institucion të zhvendosë rrjetin e kanalizimit në pronë publike, kanë kaluar dy vite prej kur Komuna nuk e ka përfillur vendimin e gjykatës.

E për këtë shkak ndihen të shqetësuar banorët të cilët thonë se Komuna nuk ka punuar sipas projektit, prandaj pronat e tyre kanë mbetur të pashfrytëzueshme, pasi që sipas tyre, kundërmimi po e vështirëson jetesën e tyre, madje ka familje që shkaku i këtij problemi e kanë ndërruar vendbanimin.

Në një përgjigje zyrtare të cilën e ka marrë një nga familjet e këtij fshati nga kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, thuhet se vendosja e gypave të kanalizimit në këtë fshat nuk paraqet problem për askënd. /gazetametro.net