Fshati i Kosovës që po konsiderohet model në ballafaqim me pandeminë

Kryetari i fshatit Stubëll të Vititsë, Marjan Ramaj, i është gëzuar lajmit për shërimin e pacientit të parë të prekur me koronavirus në vendin tonë, i cili është nga ky fshat.

I moshuari, tashmë i shëruar së bashku me bashkëshorten, i janë kthyer familjes në shtëpi të tyre.

“E kemi mirëpritur kthimin e tyre në shtëpi pas hospitalizimit dhe ky fakt na inkurajon pasi ata u kthyen shëndoshë e mirë”, ka thënë Ramaj në Klan Kosova.

“U munduam që këtë hallkë të infeksionit ta ndërpresim, që të mos ketë të infektuar të tjerë, dhe ia dolëm”.

“Në Stubëll kishim 7 të prekur. Pra është i moshuari, bashkëshortja e tij dhe familjarët. Të shëruar janë tre persona dhe të tjerët presim që ta bëjnë testin e fundit, meqenëse gjendjen e kanë të mirë dhe po presim që të dalin mirë. Nuk ka persona me gjendje të rënduar dhe ky është lajm që na gëzon dhe inkurajon. Ne edhe me tutje do të vazhdojmë me respektimin e rregullave”.