Fshirja e adresave të shqiptarëve, Cakaj takon Kamberin

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një takim me deputetin shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Sipas Cakajt, në këtë takim është biseduar për ndërmarrjen e disa veprimeve shtesë për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare lidhur me procesin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Edhe një takim shumë i dobishëm me një prej përfaqësuesve të dalluar politik të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi. Biseduam edhe për ndërmarrjen e disa veprimeve shtesë për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare lidhur me procesin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Po ashtu, shprehëm shqetësimin e thellë për një numër procesesh gjyqësore ndaj shqiptarëve, vetëm e vetëm për shkak të përdorimit të hapur të simboleve kombëtare”, tha Cakaj.

“Shihemi së shpejti me disa projekte konkrete në mbështetje të Luginës së Preshevës”, u shpreh ai.