Fury konfirmon rimeçin me Wilderin: Tani dua më shumë para

Këtë javë do të nisin bisedimet për të caktuar datën se kur do të zhvillohet revanshi i peshave të rënda në boks mes amerikanit Deontay Wilder, kampion bote në kategorinë WBC dhe britanikut Tyson Fury. Sfida e parë mes tyre, zhvilluar në dhjetor të 2018-ës, u mbyll në barazim.

Bisedimet mes dy boksierëve do të udhëhiqen nga Frank Warren, Bob Arum dhe Al Haymon.

Gjasat janë që kjo sfidë e dytë të zhvillohet në muajt e parë të 2020-ës dhe pritet që të sjellë shumë më tepër të ardhura për dy boksierët se herën e parë.

“Kjo do të jetë një sfidë e madhe, që amerikanët mezi po e presin. Tani do të ulemi dhe bisedojmë për kushtet financiare, që është edhe pika me delikate”, tha Frank Warren, menaxheri i Fury.

Vetë Fury konfirmoi se këtë herë do të duelojë me kushte të barabarta financiare, 50-50 ndarje të fitimit, madje edhe më shumë duke parë famën e tij.

“Unë do të dueloj edhe një herë më 20 shtator ose 5 tetor dhe më pas do të nis gjuetinë për titujt kampionë bote. Do të jem unë kampioni i padiskutueshëm i botës. I pari në listë është Wilder, me të cilin do të përballem në muajt e parë të 2020-ës”, tha Fury. /Telesport/