Gashi i LDK-së i kërkon Qeverisë që t’i heqë monopolin Laboratorit të Devollëve për testime

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka reaguar ashpër pasi që Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga bashkëpartiaku i tij, Armend Zemaj, aktualisht i ka hapur rrugë vetëm një laboratori privat për kryerjen e testimeve PCR për COVID-19.

Bëhet fjalë për laboratorin që është në pronësi të vajës së Blerim Devollit “Medical Laboratory Services”.

Gashi ka thënë se MSH duhet urgjentisht të largojë monopolin në tregun për testimet e PCR dhe që të mos lejojë vetëm operimin e vetëm një kompanie.

“Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht ta liberalizoj tregun për testet PCR për Sars-CoV-2 dhe të mos lejoj kundërligjshëm operimin e një kompanie të vetme në treg për këto teste!”, ka shkruar Gashi në profilin e tij zyrtar.

MSH kishte licencuar vetëm dy laboratorë për kryerjen e testeve PCR për COVID-19. Megjithatë laboratorit të UBT’së i është hequr licenca, dhe tashmë vetëm laboratori MLS është duke kryer analizat e llojit PCR.