Gashi: Ky pushtet është i dobët, ndaj është pushtet shkelës kronik i ligjit dhe i Kushtetutës

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shpallur të pavlefshme disa pjesë të Ligjit për paga në sektorin publik, duke mos afektuar pagat që janë rritur bazuar në këtë Ligj, ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Në një postim në Facebook, Gashi ka theksuar se Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin, Albin Kurti, është shkelëse kronike e ligjit dhe e Kushtetutës.

“Prapë e shkelen Kushtetutën. Ky pushtet është i dobët, ndaj është pushtet shkelës kronik i ligjit dhe Kushtetutës. Veç një pushtet i dobët e shkel ligjin dhe Kushtetutën pandalshëm. Veç të dobëtit vuajnë për ta luajtur të fortin. Veç të dobëtit tentojnë të shkelin çdo gjë; hakun e njerëzve dhe çdo gjë tjetër. Sot, Gjykata Kushtetuese vendosi për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik, ku i kërkon Kuvendit që brenda 6 muajsh ta ndryshojë”, shkroi Gashi.

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin e Kosovës që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit të këtij institucioni “të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe të paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit për Paga, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”.