Gastronomët kundërshtojnë sërish masat, protestojnë nesër

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka organizuar sërish protestë për të kundërshtuar masat ndaj COVID-19, të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Arian Vrainca, nga Shoqata e Gastronomëve, në emisionin “Hallakamë n’4” në Radio KLAN fm, dha detaje rreth protestës, njofton Klankosova.tv.

“Gastronomët janë më gati se kurrë dhe për këtë protestë janë mobilizuar gastronomët nga të gjitha qytetet e Kosovës. Nesër do të dëgjohet jashtëzakonisht shumë zëri ynë, i cili na është ndaluar të komunikojmë me institucionet publike, po ashtu nesër do të shihet se sa po preket ekonomia dhe se nuk po dëmtohet vetëm gastronomia por e gjithë ekonomia”.

“Si shkak i mbylljes dhe mungesës së strategjisë është duke u dëmtuar e gjithë ekonomia e vendit. Institucionet shtetërore deri tani na kanë injoruar dhe s’na kanë dëgjuar, për këtë nesër do të ketë një tubim masiv”, tha Vrainca.

Protesta do të mbahet nesër, nga ora 13:00, para ndërtesës së Qeverisë, ku bashkë me gastronomët, do të protestojë edhe Oda e Hotelerisë së Kosovës.