Specialja me aktakuza para zgjedhjeve, në shënjestër profilet e larta politike

Gjykata Speciale mund të ngrisë aktakuza për profile të larta dhe politikanë edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kështu ka treguar për lajmi.net avokati i akredituar i kësaj Gjykate në Hagë, Tomë Gashi.

Ai ka sqaruar situatën dhe punën e Gjykatës Speciale në raport me ngritjen e aktakuzave dhe gjithashtu ka thënë se nuk ka amnisti ndaj asnjë funksionari në Kosovë.

“Gjykata Speciale fare nuk është e lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe nuk ka asnjë pengesë që nëse ata pretendojnë që kanë prova për dikë që e gjen emrin e tij në raportin e Dick Martyt që të mos i hetojnë dhe nëse shkojnë më tutje nëse kanë prova të mjaftueshme me ngritje të aktakuzave në çfarëdo kohe pa marrë parasysh nëse Kosova gjendet në prag zgjedhor ose jo, pa marrë parasysh si e ka emrin kryeministrit, kryetari i shtetit ose krye-parlamentari apo dikush tjetër”, tha Gashi për lajmi.net.

Avokati Gashi është shprehur se politika vendore në Kosovë nuk ka ndikim mbi Gjykatën Speciale dhe sipas tij këtë e ka vërtetuar ftesa ndaj kryeministrit Haradinaj.

“Tani më veç është bërë e ditur se ata nuk janë shumë të ndikuar politikisht nga politika e Kosovës, sigurisht ka ndikime ndërkombëtare, por jo nga politika vendore pa marrë parasysh çfarëdo funksioni kanë, qoftë politik ose shtetëror nuk kanë pasur ndikim për të parandaluar së paku hetimin e tyre dhe kjo është vërtetuar me dërgimin e ftesës për z.Haradinaj i cili kur e ka pranuar ftesën ka qenë kryeministër i vendit”, tha Gashi për lajmi.net.

Sipas avokatit Tomë Gashi, ngritja e aktakuzave eventuale nuk mund të parandalohet nga asnjë politikan as për shkak të pozitave e as për shkak të situatës politike.

Gashi ka shpjeguar se ngritja e aktakuzave kurdo që ndodh do të shkaktonte turbulenca politike por jo destabilizim.

“Mendoj që askush prej tyre nuk mund të parandaloj ngritjen e aktakuzave eventuale për shkak të pozitave që i kanë ose për shkak të situatës politike që jemi tani. Sigurisht nëse ndodh një gjë e tillë, herdo-kurdo do të shkaktoj turbulenca politike por në asnjë mënyrë nuk do të krijojë destabilizim dhe sigurisht nëse ndodh tani eventualisht ngritja e ndonjë aktakuze ose ftesa ndaj ndonjë lideri të ndonjë partie – kjo sigurisht që do të ndikonte në zgjedhjet që i kemi me 6 tetor por shpresoj që nuk do të ndodh dhe mendoj që asnjë shqiptar nuk i gëzohet ngritjes së aktakuzave ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së posaçërisht kundër atyre që janë përmendur në raportin e Dick Martyt sepse jo vetëm që do t’i dëmtonte ata personalisht por edhe shqiptarët në përgjithësi e shqiptarët e Kosovës në veçanti dhe posaçërisht ish-ushtarët e UÇK-së”, tha Gashi për lajmi.net.

Gashi ka thënë se ngritja e aktakuzave eventuale mund të ndodh në çfarëdo kohe për secilin që iu është përmendur emri në raportin e Dick Martyt, por edhe për të tjerë.

Ai e ka quajtur “dhuratë”, formimin e ligjit për Specialen nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ky shkon në kufijtë e një ligji racor i cili ka amnistuar serbët nga krimet e luftës në Kosovë.

“Ngritja e aktakuzave të tilla, do të kishte mundur të ndodh në çfarëdo kohe dhe kundër secilit që emri i tyre është përmendur në raportin e Dick Martyt, por edhe persona të tjerë që nuk e gjejnë vetën në këtë raport mund të jenë të goditur nga Gjykata Speciale por kjo kushtimisht themi është një dhuratë, themi në thojza dhuratë nga deputetët e Kosovës të vitit 2015, ku ata kanë nxjerrë një ligj ‘Sui Generis’ një ligj kundër vet-vetës dhe mbi-nacional që mund të arrij deri tek kufijtë e një ligji racor sepse aty do të akuzohen vetëm shqiptarët dhe jo serbët që kanë kryer mijëra e mijëra vrasje të civilëve shqiptar saqë ky numër arrin deri në 15,000 , shkatërrime enorme dhe të gjitha që dihen, por me nxjerrjen e këtij ligji realisht kanë nxjerrur edhe një lloj amnistie për të gjithë serbët që janë implikuar në raste të krimeve të luftës ndaj viktimave shqiptare sepse asnjë serb nuk do të akuzohet në Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Në fund, Gashi ka përsëritur se askush nuk ka imunitet nga Gjykata Speciale dhe sipas tij ngritja e aktakuzave mund të ndodh në çfarëdo kohe.

“Për pyetjen tuaj, them kushdo që ka çfarëdo funksioni dhe çfarëdo emri që ka funksion shtetëror, politik, partiak nuk ka imunitet nga ndjekja penale në Gjykatën Speciale dhe shpresojmë që të mos ndodh por teorikisht mund të akuzohen në secilën kohë, konkretisht kur prokurori i Gjykatës Speciale mendon se ka prova të mjaftueshme për të ndodhur kjo”, tha Gashi në fund.

Vlen të theksohet se nga kjo Gjykatë janë ftuar edhe profile të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa e Sami Lushtaku.

Së fundmi nga kjo gjykatë është ftuar për intervistë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.