Gërmime të reja për varrezë masive në Serbi

Përfaqësuesit e organizatave dhe këshillave koordinues të familjarëve të personave të pagjetur, kërkojnë nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë që të punohet më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga konflikti i viteve 1998-‘99.

Anëtarët e Grupit dialogues të Kosovës për personat të zhdukur me Serbinë, kanë thënë se ekipe të caktuara nga Kosova janë duke punuar dhe duke bërë kërkim në disa lokacione në Rashkë të Serbisë, te vendi i quajtur Kizhevak, për varreza masive.

Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Instituti të Mjekësisë Ligjore dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të zhdukur me Serbinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nga fillimi i javës një ekip nga Kosova është duke bërë kërkime në vendin e quajtur Kizhevak në Serbi. Ai tha se në këtë vend ka katër vjet që herë pas here bëhen gërmime.

“Thuajse qe katër vjet jemi duke punuar në minierën e Kizhevakut, por e dimë se aty për 20 vjet janë hedhur mbeturinat e minierës dhe gurë dhe ka ndërruar reliefi. Në vazhdimësi kemi problemin e dëshmitarit për shkak edhe të ndërrimin të reliefit, por në ato vende ku po i tregon (dëshmitari) jemi duke gërmuar. Në Kizhevak do të qëndrojmë të paktën tri javë duke bërë dhe ndërrimin e ekipeve dhe varësisht nga nevoja, do të qëndrojmë edhe më tutje”, ka thënë Gërxhaliu.

Bashkëpunimi me autoritetet në Serbi për çështjen e të pagjeturve, është shprehur Gërxhaliu, vazhdon sipas ritmit të njëjtë.

“Ne që nga viti 2003 bashkëpunojmë me grupet punuese me Serbinë dhe ky bashkëpunim nuk është ndalur kurrë, pavarësisht ndërrimeve politike në të dyja vendet, sepse e gjithë puna bazohet në çështjen humanitare”.

“Kurse, sa u takon çështjeve të tjera [dialogut politik Kosovë – Serbi] janë organe tjera, të cila vendosin edhe pse çështja e të zhdukurve nuk duhet të lihet anash, por normal që duhet t’i jepet një prioritet i veçantë për arsye se faktikisht 20 vjet kaluan dhe e dimë fare mirë se familjarët e të zhdukurvekanë filluar ta lënë këtë botë dhe thjesht kërkohet një azhurim më i madh i punës”, ka theksuar Gërxhaliu.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Serbia ende nuk ka pasur asnjë rast të identifikimit dhe riatdhesimit të mbetjeve mortore të personave të pagjetur të Kosovës.

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur kanë thënë se puna dhe komunikimit ndërmjet delegacioneve shtetërore për çështjen e personave të pagjetur të të dyja vendeve, është duke vazhduar.