Gërvalla reagon pas raportimeve se i është kërkuar dorëheqja nga Kurti

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas raportimeve se i është kërkuar dorëheqja nga ky post nga shefi i saj i qeverisë, Albin Kurti.

Gërvalla, që njëherësh është edhe Zëvendkryeministre, tha se këto janë “shpikje, sharje, fyerje e gënjeshtra”, ndërsa theksoi se koalicioni mes Listës Guxo dhe LVV-së është i qëndrueshëm dhe unik.

“Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, asnjë herë më parë, që nga pavarësia e këndej, nuk kanë qenë kaq unik dhe nuk i kanë bashkërenduar kaq mirë veprimet dhe vendimet e tyre në të mirë të forcimit të shtetit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës”.

“Masat e menjëhershme dhe të suksseshme të qeverisë për të mos lejuar rritjen artificiale dhe të shfrenuar të çmimeve, krijimin e panikut dhe zhvatjen e skajshme të qytetarit, tek ata që duan ta zhbëjnë 14 shkurtin 2021, natyrisht që krijojnë shqetësim dhe ngjallin fantazi dhe epshe të pakontrolluara. Shpikin, shajnë, fyejnë, gënjejnë”, tha drejtuesja e Listës Guxo, listë e cila garoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në listën e LVV-së, të cilës aso kohe i printe tashmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në fund, ministrja Gërvalla pati një porosi për kritikuesit: “Ndërsa ne, thjesht vazhdojmë punën”.