Gjenden mbetje mortore në Matiçan, Haxhiu: Dyshohet të jenë të luftës së fundit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Instituti i Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me policinë dhe Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur kanë lokalizuar mbetje mortore të një personi në Matiçan të Prishtinës.

Sipas Haxhiut, mbetjet mortore dyshohet se i takojnë kohës së luftës së fundit në Kosovë.

“Mbetjet skeletore do të dërgohen në IML ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë me qëllim të identifikimit. Në vendin e njëjtë gjatë muajit maj në të njëjtin vend ishin gjetur mbetjet mortore edhe të një individi”, tha Haxhiu.

Më tej, ajo tha se gjatë tërë ditës kanë vazhduar gërmimet edhe në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, ku dje janë gjetur disa mbetje të tjera mortore që po ashtu dyshohet se i takojnë luftës së fundit.