Gjendet kutia e zezë e fluturakes që ra në Zagreb, supozohet se bartte bombë

Kreu i Departamentit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Kroacisë, Vlado Kovaçeviq, konfirmoi se në orët e pasdites nga rrënoja e dronit është nxjerrë një kuti e zezë, e cila është dëmtuar pjesërisht, duke shtuar se disa fragmente tregojnë mundësinë që avioni të mbante mjet shpërthyes.

“Ne iu afruam veprimeve të dukshme, por me shumë kujdes, sikur do të operonim në sy. Kishim disa pengas – një kabllo elektrike afër, një pemë të madhe, rrënjët e së cilës ishin thellë në tokë paralelisht me avionin, dhe kishte dyshime se mund të ketë material shpërthyes ende në trupin e fluturakes. Gjëja më e rëndësishme është që ne u tërhoqëm dhe erdhëm deri te kutia e sigurisë, e ashtuquajtura kutia e zezë”, tha brigadieri Kovaçeviq për Dnevnik të HRT-së, transmeton Demokracia.com.

I pyetur për gjendjen e kutisë së zezë, Kovaçeviq tha se kishte disa dëmtime të vogla. Kutia e zezë duhet të japë informacion mbi fluturimin dhe funksionimin e motorit të raketës. Kovaçeviq tha se për momentin nuk mund të thotë se kujt i takon droni, nga vinte apo cili ishte misioni i tij. “Pas ekspertizës do t’i kemi të dhënat, këto tani do të ishin vetëm supozime”, tha ai.

“Me hetimet e sotme mund të supozojë se është një mjet shpërthyes i transportuar nga fluturakja, disa nga fragmentet e tregojnë këtë, por ne ende nuk jemi të sigurt se në cilin drejtim po shkonte, por do ta mësojmë këtë”, tha Kovaçeviq, duke shpjeguar se në avionët e spiunazhit apo për qëllime të inteligjencës, eksplozivi nuk përdoret, ndaj duket se avioni ka qenë për një qëllim tjetër përveç inteligjencës siç mendohej më parë.