Gjermanët fundosin Bashën: Zbulojnë si loboi kundër integrimit në shërbim të rusëve! Nicolas Muzin gati të dëshmojë kundër kreut të PD

Lobimet në SHBA me mbështetjen e disa kompanive ruse duket se po i hapin shumë telashe kreut demokrat Lulzim Basha. Prokuroria e ka marrë tashmë të pandehur, ndërsa dje ka ardhur një goditje e fortë nga Gjermania. Revista “The European”, i ka kushtuar një artikull dje lotimeve të PD, ndërsa ka ngritur dhe pikëpyetje nëse lidhjet me rustë janë përdorur dhe për të lobuar kundër hapjes së negociatave.

“Ndërkohë që shumica e vendeve europiane i vlerësojnë përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, qeveria dhe opozita në Tiranë po zhvillojnë një luftë të pisët mediatike, e vlefshme për një film me agjentë. Në qendër të tij: një nga lobuesit më me influencë në botë, një agjenci offshore dhe pronarët e saj rusë. Një shembull tipik për mënyrën se si punojnë lobuesit globalë. Shqipëria gjendet para ndryshimeve historike: Në mes të nëntorit shefat e qeverive dhe shteteve të BE-së do të vendosin, nëse do të çelin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për shumicën e shteteve në Evropë nuk ka diskutim, që përpjekjet e shteteve të Ballkanit në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit kanë përparuar aq shumë sa mund të kryhet ndërkohë përafrimi me BE-në”, thuhet në artikull.

Më tej theksohet se teksa kryeministri shqiptar Edi Rama shpreson për një vullnet të mirë të BE-së, në vendin e tij ai po has në një rezistencë të fuqishme. Sipas revistës gjermane, PD po lobon fuqishëm kundër negociatave. “Opozita shqiptare, e kryesuar nga konservatorët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), përpiqet me të gjitha mjetet që të rrëzojë kryeministrin socialist gjatë rrugës së tij për në Bruksel. Për këtë përdoren jo vetëm mjete demokratike: fushata të dyshimta në internet, leaked documents (dokumente sekrete) dhe regjistrime të kompromentuara shpërndahen me qëllim. Mbas tyre fshihet me sa duket një nga lobuesit më me influencë në botë: ashtu sikurse e dëshmojnë edhe dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë së USA, opozita shqiptare mbështetet nga strategu politik i famshëm kanadez, Nick Muzin”, thuhet më tej, duke lënë të hapur mundësitë që dhe për luftën e opozitës kundër integrimit fshihen rusët. Sipas revistës, Moskës nuk i intereson hapja e negociatave. “Në fakt Rusia ka pak interes për afrimin e Shqipërisë me BE-në –anëtarësimi do të dobësonte ndikimin e Rusisë në Ballkan”, thuhet më tej.

Dëshmia e Nicolas Muzin

Për lobimet e Bashës në SHBA prokuroria ka nisur hetimet dhe e ka marrë atë të pandehur. Por procesi ka ngelur në mes për shkak se po pritet dëshmia e Nicolas Muzin, personi i cili u kontraktua nga Basha për të lobuar në SHBA. “Real Story” ka publikuar dje vendimin e gjykatës, e cila pak ditë më parë vendosi zgjatjen e hetimeve për Bashën. Aty theksohet se Muzin kërkon garanci se nuk do jetë person nën hetim, në këmbim të dhënies së dëshmisë. “Në e-mailin e datës 31 korrik 2019, konfirmohet se SHBA dhe autoritetet e saj gjyqësore nuk do ta procedojnë penalisht Nicloas Muzin për hetimin shqiptar dhe për rrjedhojë do të vijojnë përpjekjet për të pyetur pas dhënies së kësaj garancie. Por autoritetet amerikane kërkojnë edhe qëndrimin e autoriteteve të drejtësisë shqiptare për statusin e Nikolas Muzin dhe për faktin nëse do të jetë objektiv i mundshëm i hetimit apo jo”, thuhet në dosje. Pra, fati i Bashës varet nga dëshmia e Muzin. Nëse ai konfirmon lobimin përmes rusëve, kreu demokrat rrezikon burgun, pasi ka fshehur shpenzimet gjatë fushatës./Kliti Topalli