Gjermania i përgjigjet Haradinajt, jep lajmin e madh për liberalizimin e vizave

Çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës nuk pritet që të jetë në agjendën e ndonjë takimi të Këshillit Evropian gjatë këtij viti, ajo pritet që të hy në agjendën evropiane në vitin 2020.

Çështja e heqjes së regjimit të vizave për kosovarët ka ngecur në nivel teknik brenda Këshillit Evropian dhe nuk dihet as kur do të mund të merret ndonjë vendim e as se kur do të mund të kalojë në nivelin e ministrave.

Raportuesi për Kosovën në Bashkimin Europian, Peter Beyer, tha se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë në vitin 2020, por duke mos dhënë muaj apo data siç ka dhënë që dy vite kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Beyer tha se Gjermania e përkrah këtë proces të liberalizimit të vizave për kosovarët, sipas tij kjo mund të ndodhë në vitin e ardhshëm

“Ne e mbështesim procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës dhe them se heqja e vizave mund të ndodhë tjetrin vit”, tha Beyer.

Kurse kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj po deklaron vazhdimisht se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave deri në fund të dhjetorit.

Ai madje tha se janë duke punuar rreth çështjes së liberalizimit të vizave, duke shpresuar se lajmin e mirë Kosova do ta marrë para Krishtlindjeve.

“Po punojmë, javën e shkuar kemi pasur delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, shpresoj se do të marrim lajmin e mirë para Krishtlindjeve.

Shpresoj, nuk është e konfirmuar, kemi punuar, kemi rënë dakord të mos japim premtime mediale, por po ecim në këtë drejtim”, ka thënë Haradinaj.

Por, nuk ka shkuar shumë javë, Haradinaj doli dhe dha një datë tjetër për liberalizimin e vizave, ai tani po thotë se liberalizimi do të ndodhë për kosovarët në shkurt të 2020. /gazetametro