Zemaj takohet me grupin e protestuesve në krye me Labin e Afrim Muçiqin, tregon se çka biseduan

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është takuar me këngëtarët Afrim Muçiqi e Labinot Tahiri, përfaqësuesit e bizneseve të sallave të dasmave, gastronomisë, dekoreve dhe të bizneseve që lidhen me organizimin e dasmave.

Ai deklaroi së është kundër çdo zgjidhje selektive për bizneset dhe se s’do të ketë rikthim të gjendjes së mëparshme.

Njoftimi i plotë:

Sot deklarova se nëse do të respektohet “Manuali për mbrojtje nga përhapja e virusit covid-19” sërish ditëve në vijim do t’i takoj përfaqësuesit e sallave të dasmave për të diskutuar kërkesat e tyre dhe së bashku të ndërmarrim hapat e mëtutjeshëm, gjithnjë sipas rekomandimeve të IKSHPK.

Në zyrën time e prita grupin protestuesve që kishin dalë të protestonin në sheshin “Nënë Tereza” përballë qeverisë së Kosovës, ku i takova e pastaj i ftova për vizitë zyrën time.

Këtë grup të protestuesve e përbënin këngëtarët, Afrim Muçiqi e Labinot Tahiri – Labi, përfaqësuesit e bizneseve të sallave të dasmave, gastronomisë, dekoreve dhe të bizneseve që lidhen me organizimin e dasmave.

Deklarova se jam kundër çdo zgjidhje selektive për bizneset dhe se s’do të ketë rikthim të gjendjes së mëparshme. Sikurse jam i gatshëm që 24 orë në ditë të mbajë derën e hapur për përfaqësuesit e bizneseve të sallave të dasmave, që këta të shohin angazhimet maksimale që po bën ministria në luftën kundër covid-19.