Gjermania planifikon të japë ”Green Card”, ja kriteret

Ministri gjerman federal i Punës, Hubertus Heil, ka paralajmëruar një “ligj modern imigrimi”, me qëllim tërheqjen e më shumë fuqie punëtore të kualifikuar në Gjermani. „Karta e shanseve“ do të jetë gati në vjeshtë.

„Ne do të vendosim një Kartë të shanseve me një sistem pikësh transparent, me qëllim që njerëzit për të cilët vendi ynë ka nevojë, të vijnë më lehtë tek ne“, është shprehur ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, për gazetën e njohur gjermane „Bild am Sonntag“.

Kush ka një diplomë apo kualifikim, pavarësisht nëse është studim universitar apo shkollim profesional, të cilin Gjermania e njeh, mund ta marrë menjëherë Kartën e shanseve. “Por ne duam edhe njerëz që kanë kualifikime të tjera, dhe që na duhen për tregun e punës, e të cilëve do t’u japim një shans për të ardhur në Gjermani”, ka thënë politikani socialdemokrat gjerman.