Gjetjet e IKD-së: Qeveria shkeli Kushtetutën te shtatë projektligje

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka gjetur se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetua e Republikës gjatë hartimit dhe miratimit të projektligjeve .

Hulumtuesja Eranda Zekaj ka thënë se shkeljet kushtetuese kanë ndodhur te shtatë projektligje nga 71 sa i ka miratuar Qeveria e Kosovës.

IKD ka gjetur shkelje të Kushtetutës te: 1. Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; 2. Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura; 3. Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; 4. Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal; 5. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale; 6. Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik; 7. Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Hulumtuesja e IKD, Eranda Zekaj, ka shpjeguar gjetjet që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës te Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Më 29 dhjetor 2021, Qeveria miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Para se projektligji të kalonte në lexim të parë, në seancën parlamentare, deputetët janë njoftuar se i njëjti do te dërgohet në Komisionin e Venecias për të vlerësuar përputhshmërinë e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Projektligji përmbante të meta të theksuar kushtetuese, të meta të cilat u evidentuar në raportin e IKD, e më pas u konfirmuan në Opinionin CDL(2022)014 të datës 20 qershor 2022 të Komisionit të Venecias”, ka shpjeguar Zekaj.

Ajo ka thënë se IKD ka gjetur shkelje kushtetuese edhe në Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.

“IKD e ka analizuar projektligjin e miratuar nga Kuvendi përmes së cilit është shuar Këshilli për Ndihmë Juridike Falas, si organ mbikëqyrës i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. Me këtë ligj, ANJF është inkorporuar në Ministrinë e Drejtësisë. Politizimi i ANFJ paraqet shkelje të kushtetutës së Republikës së Kosovës. IKD më 20 tetor 2022 ka deponuar kërkesë tek Avokati i Popullit për procedim të këtij Ligji në Gjykatën Kushtetuese, por Avokati i Popullit ende nuk ka kthyer përgjigje”, ka thënë ajo.

Tutje, gjetjet e IKD tregojnë se Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në tërësinë e tij është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cenon dhe e bën të parëndësishëm rolin e një institucioni kuazi gjyqësor i cili kujdeset për mbrojtjen e standardeve në fushën e shërbimit civil.

Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, ka iniciuar në Kuvend Projektligjet për Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

IKD ka gjetur edhe te ky projektligj ka shkelje të Kushtetutës.

“Përkundër qëllimit tejet legjitim për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në luftimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, IKD ka gjetur se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria nuk kanë ndjekur rrugën adekuate për ta bërë këtë. Kjo pasi IKD gjen se të dy këto Projektligje shoqërohen me shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, IKD gjen se këto dispozita janë në kundërshtim edhe me interesat e viktimave, të cilat interesa synohet të avancohen përmes këtyre Projektligjeve”, ka treguar Zekaj.

Tutje, Me 23 nëntor 2022, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për pagat. Përkitazi me këtë Projektligj, IKD kishte gjetur se i njëjti cenon sigurinë juridike të nënpunësve të sektorit publik dhe është i përfshirë në trajtim të pabarabartë.

“IKD më 22 dhjetor 2022 kishte publikuar analizën “Pagat në sektorin publik”. Kjo analizë u është dërguar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës para miratimit të Projektligjit në fjalë, por se të njëjtit nuk kanë marrë për bazë këto rekomandime”,, ka shpjeguar ajo.

Në muajin nëntor 2022, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Zyrtarët Publik, i cili Projektligj u miratua ne Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Sipas këtij ligji [neni 46 dhe 49] të gjitha pozitat drejtuese të nivelit të mesëm dhe të lartë nga pozita me mandat të përhershëm kthehen në pozita me mandate të përkohshëm.

“Ky projektligj cenon pritjet legjitime të tanimë të punësuarve në pozitat drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues dhe si rrjedhë paraqet shkelje të nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky projektligj është miratuar nga Kuvendi më 22 dhjetor 2022 dhe i njëjti aktualisht është duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Zekaj.