Gjoshi: Ja faktet se si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti po e legalizojnë krimin e mikut të tyre Martin Berishaj

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmabi dhe kryeministri Albin Kurti, po e legalizojnë krimin ku është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Ky Kryeministër dhe kjo Presidente, do të mbahen mend në historinë e Kosovës si Legalizues të Krimit. Pra, nëse krimin e bënë dikush që është pjesë e pushtetit të tyre apo që është emëruar prej tyre, do të amnistohet nga këta dy. Të gjitha qeveritë e kaluara janë distancuar nga ndonjë vepër e pahijshme dhe askush nuk ka marrë në mbrojtje shkelësin e dyshuar. Por, në pushtetin e Kurtit dhe Osmanit është ndryshe. Këta dy nuk turpërohen, por e mbrojnë krimin dhe atë para kamerave. Në historinë 22-23 vjeçare në Kosovën e lirë nuk ka asnjë skandal të përmasave në të cilat dyshohet se është përfshirë miku i Kurtit dhe ambasadori Martin Berishaj i emëruar nga Vjosa Osmani. Brenda disa orëve, Kurti dhe Osmani i dolën në mbrojtje dhe e amnistuan ambasadorin”, ka thënë Gjoshi përmes një reagimi në faqen e tij në Facebook.

Zyrtari i lartë i opozitës theksoi se në pushtetin aktual kanë ndodhur katër shkelje të Kushtetutës së Kosovës nga institucionet, por asnjë masë nuk është ndërmarrë kundër tyre.

“Mosrespektimi i aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës as që e shqetëson pseudojursiten Vjosa Osmani, e cila e ka të mbushur fjalorin me shprehje të njejta prej 10 vitesh për Kushtetutën, por kur vjen puna për ta mbrojtur shkon dhe fshehet e nuk del në publik për disa ditë. Shkelje e rregullave të shtetit ligjor është edhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës Themelore nga ZRrE-ja, për pezullimin e faturimit të energjisë elektrike me çmime të larta. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po e amnistojnë paligjshmërinë dhe nuk dalin në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Republikës. Heshtja e tyre është sulm mbi shtetin ligjor”, tha Gjoshi.

Sipas tij, në qeverisjen e Kurtit dhe Osmanit mund t’i japësh 42 kontrata një-burimore, pa procedura tenderuese dhe do të amnistohesh pa asnjë problem.

“Nëse jeni ministre e Albin Kurtit mund ta shkelni një fëmijë në rrugë, t’ia leni fajin fëmijës e të deklaroheni se ai e përplasi makinën. Edhe vet Albini do të thotë në konferencë si të ishte ekspert komunikacioni se në asfallt nuk kishte shenja të frenimit. Fatkeqësisht, nëse je Vetëvendosje e Kurtit, ose Guxo e Osmanit, mund të bëni çka të doni, mund ta shkelni Kushtetutën, mund të paguheni nga mafia serbe e rrymës, mund të shkelni fëmijë në rrugë, mund të shani mediat. Në fund do të dalë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e do t’iu mbrojnë”, tha Gjoshi.