Gjykata Kushtetuese në prag plotësimi, verifikohen kandidatët

Gjykata Kushtetuese, pranë se cilës është vendosur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, thotë se shumë shpejt listat me renditjen e kandidaturave për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese do t’i dërgohet Kuvendit dhe Presidentit.

Në një përgjigje për mediat, kjo Gjykatë shkruan:

“Duke marrë në konsideratë interesin e madh të publikut për këtë çështje, si dhe anëtarësinë e zonjës Vitore Tusha edhe në organin kushtetues të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, informacioni që mund të jepet nga Gjykata Kushtetuese për ecurinë e procesit deri në këtë moment është si më poshtë vijon:

Ka përfunduar i gjithë kuadri normativ i domosdoshëm për funksionimin dhe mbarëvajtjen e organit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në ditët në vijim do të përfundojë edhe miratimi i metodologjisë mbi bazën e së cilës Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të bëjë vlerësimin profesional/moral/organizativ të kandidatëve, pikëzimin dhe renditjen e tyre përfundimtare.

Ka përfunduar i gjithë procesi paraprak përgatitor në lidhje me mbledhjen e informacionit dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga kandidatët që kanë shprehur interesin për vendet vakante të shpallura nga organet e emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë.

Brenda disa ditëve pritet të përfundojë edhe faza e verifikimit të pushteteve ligjore të secilit prej kandidatëve. Kjo fazë varet tashmë edhe nga përfundimi i procesit të rivlerësimit të tri prej kandidaturave (gjyqtarë) nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Me përfundimin edhe të këtij procesi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka detyrimin ligjor të mblidhet dhe të bëjë vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve, si dhe renditjen përfundimtare të tyre jo më vonë se 10 ditë nga dita e mbledhjes (neni 239/2 i ligjit nr. 115/2016 për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”).

Lista me renditjen përfundimtare të kandidaturave për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese i dërgohet më pas organeve të emërtesës, respektivisht Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë”, sqaron Gjykata Kushtetuese.

103 është numri i kërkesave që presin për t’u shqyrtuar nga kjo gjykatë. Çështjet janë të mbartura nga viti 2017, 2018 dhe 2019.

Nga të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, vetëm Vitore Tusha kaloi me sukses procesin e Vetingut. Anëtarët e tjerë ose u shkarkuan nga Vetingu ose dhanë dorëheqjen.