Gjykata merr vendim për aktorin e njohur, akuzohet për 100 mijë euro mashtrim

Pas rikualifikimit ligjor të veprës penale nga “mashtrimi në detyrë” në “mashtrim lidhur me subvencione” të bërë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kjo gjykatë ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj producentëve, Nehat Fejza dhe Armond Morina.

Morina dhe Fejza, ishin shpallur fajtorë në dhjetor të vitit 2016, nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishin dënuar me nga një vit burgim me kusht, por këto dënime, ishin ashpërsuar pastaj nga Gjykata e Apelit, e cila Fejzën e kishte gjykuar me dy vjet burgim me kusht, kurse Morinën me një vit e gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, pas kërkesave për mbrojtje te ligjshmërisë së paraqitura nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, Arianit Koci dhe Osman Havolli, Gjykata Supreme i kishte anuluar pjesërisht aktgjykimet e Themelores dhe Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini deklaroi se gjykata ka vendosur të bëj rikualifikimin ligjor të veprës penale që u vihej në barrë të akuzuarve, pasi vërtetoi se të njëjtët nuk kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë, raporton “Betimi për Drejtësia”.

Por, sipas trupit gjykues, të dy kanë kryer veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet”, meqenëse në veprimet e të akuzuarve përmbushen elementet e kësaj vepre penale.

Tutje, gjykatësja Çerkini deklaroi se pas këtij rikualifikimi ligjor ndaj të akuzuarve refuzohet aktakuza për shkak se është arritur parashkrimi absolut për veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet”.

Ajo tha se kjo për faktin se për veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet” parashihet dënimi me gjobë ose me burg deri në 5 vjet dhe sipas nenit 90, paragrafi 1, pika 4, e Kodit Penal të Kosovës, ndjekja nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar më shumë se 5 vite nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se 3 vjet.

“Ndërsa, sipas nenit 91 të njëjtit Kod penal të Kosovës, paragrafi 6, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale që do të thotë se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për veprën penale “mashtrimi me subvencionet”, deklaroi ajo.