Gjykata merr vendim për nxënësin që dyshohet se theri me thikë një 15-vjeçar në Mitrovicë

Mesditën e së enjtes, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Shipol të Mitrovicës kishte ndodhur një përleshje mes disa nxënësve të shkollës fillore të mesme të ulët ‘Fazli Grajqevci’. Në rrahjen mes tyre përpos grushteve u përdorën edhe mjete të mprehta, me ç’rast një i mitur kishte mbetur i therur me thikë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ndaj të dyshuarit Y.U., 15-vjeçar, është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën kompetente.

Sinjali mëson se i mituri dje ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të shkollës “Fazli Grajqevci”, ku pas një mosmarrëveshjeje dy nxënës kanë sulmuar një tjetër, të cilin e kanë goditur me thikë dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.

Sinjali mëson se viktima është një 15-vjeçar, i cili fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, por për shkak të gjendjes serioze është transferuar në QKUK.