Gjykata në Leskovc: Do të dërgojmë më shumë ftesa për burg në Kosovë

Ditët e fundit, disa qytetarë të Kosovës, që janë dënuan për terrorizëm në Serbi, kanë filluar të marrin urdhërat për vuajtje të dënimit me burg në Serbi.

Për këtë çështje, ata janë njoftuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës në bashkëpunim me gjykatat lokale.

Një urdhëresë të tillë nga Gjykata Themelore e Leskovcit, e ka pranuar edhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Klina e Epërme e Skenderajt, Hashim Mecinaj. 64-vjeçari është edhe invalid i luftës.

Ai u urdhërua të paraqitet pranë Shërbimit Korrektues në Nish, më 1 korrik të këtij viti, për siç është thënë, vuajtjen e dënimit me burgim prej 13 vjetësh, bazuar në një vendim të vitit 2013, nga Gjykata e Apelit në Kragujevc. Nëse ai nuk i përgjigjet urdhërit, në dokument shkruhet se ai do të detyrohet me forcë ta zbatojë atë.

Gjykata Themelore në Leskovc të Serbisë, ka konfirmuar se ka filluar dërgimin në Kosovë, të thirrjeve për të vuajtur dënimin me burg, në bazë të aktgjykimeve përfundimtare, të lëshuara nga gjykatat e tjera në Republikën e Serbisë, para së cilave janë zhvilluar këto procedura.

Novica Dimitrijeviq, nënkryetar i asaj Gjykate, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se tashmë ftesat u janë dërguar një numri të personave të dënuar, përmes të cilave, ata njoftohen për urdhërin e vuajtjes së dënimit me burg.

“Përveç personave aktual – të cilët e kanë informuar publikun për pranimin e urdhërit për vuajtjen e dënimit me burg – urdhëra të tilla u janë dërguar një numri personash që banojnë në territorin e Kosovës, ndaj të cilëve janë plotësuar kushtet ligjore për vuajtje të dënimit. Personat tjerë, që nuk kanë marrë ende fletëparaqitje, do t’u dërgohen atyre kur të përmbushen të gjitha kërkesat ligjore, në përputhje me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale”, tha Dimitrijeviq.

Ai nuk e specifikoi se sa thirrje janë bërë, me arsyen se mbledhja e këtyre të dhënave “do të kërkonte fuqi shtesë punëtore dhe më shumë kohë”.