Gjykata refuzon ankesën e ATK-së kundër gazetarit Buzhala

Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale e kanë hedhur poshtë një ankesë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ndaj gazetarit Berat Buzhala lidhur me një rast të dyshuar për shmangie tatimi.

Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për vendosje të masës së sigurisë ndaj ekzekutimit të vendimit të ATK-së, sipas të cilit gazetari Buzhala obligohet të paguajë tatim rreth 71 mijë euro.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e kundërpropozuesit Administrata Tatimore e Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale, të cilin e ka publikuar sot gazetari Buzhala.

Buzhala e ka kundërshtuar vendimin e ATK-së. E ka cilësuar “persekutim politik” rastin e ngritur kundër tij nga ATK-ja.

Ai, në një shkrim në Facebook, ka falënderuar gjyqtarët e Gjykatës Komerciale për pavarësi në vendimmarrje.

“Lajm i keq per Dejona Mihailin, Mef Bajqinovcin, Manxhuken, Ilir Murtezin e Njazi Asllanin ne luften kunder Berat Babes. Edhe shkalla e dyte e refuzon ankesen e ATK’se, duke e lane ne fuqi vendimin e Gjykates Komerciale, per mase te perkoheshme ndaj nje vendimi te ATK-se kunder meje”, ka shkruar sot Buzhala.

Vendimi i ATK-së kundër Buzhalës ndërlidhet me shmangie të tatimit nga gazetari me rastin e shitjes së aksioneve të tij në një biznes privat, si dhe me shitjen e një prone private.

Buzhala ka akuzuar drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezajn, se është shndërruar në një vegël të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe kryeministrit Albin Kurti.

Vendimin e ATK-së ndaj gazetarit e ka publikuar rreth dy javë më parë deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci. Publikimi i vendimit të ATK-së u bë në kohën e publikimit të audio-incizimeve të Mimoza Kusari-Lilës nga mediumi Nacionale, në pronësi të Buzhalës.

Publikimi i vendimit nga një eksponent i shumicës parlamentare është cilësuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si presion i qëllimshëm i pushtetit ndaj gazetarit.

Në një reagim për media, AGK-ja ka thënë se hedhja në publik e vendimit të ATK-së ndaj Buzhalës ka për qëllim frikësimin e tij dhe hakmarrjen e partisë në pushtet ndaj drejtuesit të mediumit që publikoi audio-inicizimet.

“AGK-ja, e sheh këtë si presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrjeje të partisë në pushtet, ndaj z. Buzhala dhe Nacionales, pas publikimit të serisë së audio-incizimeve të zonjës Mimoza”, ka thënë AGK-ja në një reagim më 12 korrik.