Gjykatësi Nikolas Giju largohet nga Gjykata Speciale

Gjykatësi Nikolas Giju nuk do të jetë më gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kjo pasi ai tash e tutje do të angazhohet me punë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.

“Më 5 dhjetor 2023, gjykatësi Nikola Giju i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjykatësi Giju u emërua gjykatës në DHSK më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake çështjet gjyqësore të z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, të z. Salih Mustafa, të z. Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve, të z. Pjetër Shala, si edhe të z. Sabit Januzi dhe z. Ismet Bahtijari. Gjykatësi Giju është caktuar gjithashtu në funksionin e Gjykatësit të Vetëm në çështjen kundër z. Isni Kilaj”, thuhet në një njoftim.

Kryetarja Trendafilova e përgëzoi Gijun për detyrën e re, duke theksuar se ky emërim vie si rezultat i pasqyrimit të përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Giju në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare.

Tutje ajo nënvizoi se largimi i Gijut nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje.