Gjykimi ndaj Sami Lushtakut, bashkëshortja e tij negocion marrëveshjen për pranim fajësie

Prokurorja Speciale Florije Shamolli, në gjykimin për arratisjen e ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), ka njoftuar gjykatën se më të akuzuarën Mirvete Lushtaku dhe me dy të akuzuar të tjerë, janë në negociata për të arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Në këtë rast, përveç Sami dhe Mirvete Lushtakut po akuzohen edhe djali i tyre Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Para fillimit të seancës së të hënës, prokurorja Shamolli ka njoftuar gjykatën se kishte negociuar me disa të akuzuar për të lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Ajo ka thënë se kishte pranuar kërkesën nga e akuzuara Mirvete Hasani-Lushtaku, si dhe nga dy të akuzuar të tjerë të cilëve nuk ia përmendi emrat, për të arritur këtë marrëveshje.

“Kërkoj që të na jepni një afat kohor të arsyeshëm në mënyrë që të arrijmë deri te kjo marrëveshje, pasi dihet se kjo marrëveshje duhet të ketë pëlqimin edhe të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale”, ishte kërkesa e prokurores Shamolli drejtuar trupit gjykues.

Trupit gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti, pasi konsultimit aprovuan kërkesën e prokurores Shamolli për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor këtë çështje penale.Seanca e radhës pritet të mbahet me 2 dhjetor 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi/