Glauk Konjufca largon nga puna vajzën e Migjen Kelmendit të PDK-së (Dokument)

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka larguar nga puna Tefta Kelmendi – Merran.

Kjo është vajza e anëtarit të kryesisë së PDK-së, Migjen Kelmendit, shkruan gazeta inFokus.

Vajza e Kelmendit punonte si këshilltare në ambasadën e Kosovës në Paris, prej vitit 2016.

Arsye e këtij vendimi për shkarkim është që ajo u pranua në detyrë pa iu nënshtruar procedurave sipas ligjit.

“Znj. Kelmendi-Merran nuk i është nënshtruar procedurave të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me nenin 20 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës e as procedurave të rregullta në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, andaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës më datë 30.06.2020 i përfundon të gjitha obligimet ligjore dhe financiare ndaj znj. Kelmendi-Merran”, thuhet në pikën e dytë të vendimit.