Grabitja në Rinas/ Arrestohet personi që ndihmoi autorët nga brenda aeroportit

Vihet në pranga 1 person i cili ndihmoi nga brenda grabitësit e miliona eurove në datë 9 prill në aeroportin e Rinasit.

Gazetari i Report tv Arsen Rusta raporton se i arrestuari si bashkëpunëtor i grabitësve është një pjesëtar i stafit në pjesën cargo (zona ku përpunohen mallrat dhe lekët e bankave). Dyshohet se personi ka njoftuar për futjen e parave në pistë, orarin dhe lëvizjet.

Prokurorët e kësaj dosjeje prej katër ditësh janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport dhe kompanisë së sigurisë në aeroport (ICTS). Operacioni i nisur që nga pasditja e të premtes vijon edhe ditën e sotme.

Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën miliona euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një fugon të modifikuar ‘hetimi tatimor’.

Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i kësaj vjedhje spektakolare.

Deri më tani policia ka vënë në pranga 6 persona të dyshuar si të përfshirë në grabitje, Ragip Hajdini, Elton Pikli, Alkond Bengasi, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli dhe Saimir Cela dhe janë shpallur në kërkim Klement  dhe Eldi Çala.

Pas ngjarjeve në datë 20 prill policia mori kontrollin në sallën e kamerave duke nisur zbatimin e masave shtesë.