Osmani pranon raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2020

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh përfaqësues special i BE-së, Tomas Szunyog, ia dorëzoi Raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2020, kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit

Kopja e Raportit i është dorëzuar kryetares Osmani nga ana e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh përfaqësues special i BE-së, Tomas Szunyog.

Në njoftim thuhet se ambasadori Szunyog shfaqi shpresën se rekomandimet nga raporti do të trajtohen nga institucionet e Kosovës.

Ndërkaq kryetarja Osmani ka thënë se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar për ta dërguar përpara agjendën evropiane dhe rritjen e rolit në tij në procesin e integrimeve.

“Ajo mirëpriti vlerësimin e Raportit, sipas të cilit nën udhëheqjen e saj ka pasur përmirësim në organizimin e punës së Kuvendit dhe menaxhimin e seancave plenare, duke u bazuar në rregulloret e punës”, thuhet në njoftimin e bërë nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas saj, secili komision parlamentar do t`i qaset në mënyrë specifike rekomandimeve të Raportit, në mënyrë që të adresohen ato.​