Grabitja në Rinas, mësohen emrat e dy të dyshuarve si autorë

Klement Çala dhe Aleks Pepa mësohet të jetë dy nga autorët e dyshuar në super grabitjen e 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit, ku u vodhën miliona euro.

Klement Çala

Sipas policisë, këto dy persona janë shpallur në kërkim për grabitje të ngjashme dy vite më parë. Kujtojmë që në supergrabitjen në Rinas, mbeti i vrarë Admir Murataj, ndërsa katër personat e tjerë u larguan bashkë me shumën e eurove.

Paraditen e sotme, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, drejtorin e Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kufitare, Eduart Merkaj dhe disa drejtorë qarqesh lidhur me hetimet për grabitjen në Rinas.

Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se gjetja e një celulari në makinën me të cilën u krye grabitja në Rinas është një nga provat më të rëndësishme për zbardhjen e çështjes.

Mes materialeve të sekuestruara janë dhe pamjet e grabitësve gjatë marrjes së parave, ku bie në sy përdorimi profesional i armëve.