Grabitja në Rinas: Zbardhen emrat e të arrestuarve

Report Tv zbardh emrat e tre prej të arrestuarve nga policia dhe inicialet një tjetri lidhur me grabitjen e ndodhur në datë 9 prill në aeroportin e Rinasit.

Mësohet se ata janë Alkond Bengasi dhe Saimir Cela, Renaldo Sulaj, dhe F.B,. Dyshohet se tre prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë, ndërsa njëri prej tyre dyshohet të jetë një prej autorëve të cilët kryen grabitjen e 9 prillit.

Ndërkohë mësohet se lidhur me këtë ngjarje, tetë persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se tre prej tyre janë nga qyteti i Elbasanit ndërsa një tjetër nga Fushë-Kruja. Masat e sigurisë për katër të arrestuarit do të jepen ditën e nesërme në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Policia ka ushtruar kontrolle në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fushë-Krujës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje edhe për gjetjen e personit të konsideruar përgjegjës pas Admir Muratajt i cili mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë.

Siç njofton gazetari Aldo Kozarja kontrollet kanë vijuar edhe sot në fshatin Karakullak të Elbasanit nga forcat Renea.

Ditën e djeshme Report Tv solli edhe pamje nga servisi ku autorët e grabitjes kanë bërë modifikimin e furgonit ‘Hetimi Tatimor’ i cili u përdor për realizmin e grabitjes ku u morën 5.7 milionë euro, para të cilat bankat e nivelit të dytë po i transportonin jashtë vendit.

Burime për Report tv bëjnë me dije se servisi kishte më shumë se 6 muaj që i ishte dhënë me qera pikërisht Klement Calës, i cili ka nëshkruar kontratën përmes të afërmit të tij. Klement Cala është person i kërkuar dhe dyshohet se është një prej personave të shpallur në kërkim në lidhje me grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit.

Pak ditë më parë nga studio e Repolitix në Report Tv, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehu vlerësim maksimal për Policinë e Shtetit ndërkohë që paralajmëroi se shumë shpejt autorët e grabitjes do të arrestohen.

Ministri tha se do të jenë hetimet që do të përcaktojnë se kush e vrau Admir Muratajn, ndërsa shtoi se nuk beson që ai të jetë ekzekutuar nga bashkëpunëtorët e grabitjes.