Grabitje e një lokali në Prishtinë, pronarët shprehen të shqetësuar (video)

Të shpeshta janë rastet e vjedhjeve në Kosovë, ku lokale të ndryshme thyhen, e persona të dyshimtë grabisin gjithçka që është me vlerë në atë lokal.

Banorë të lagjes Dardania, saktësisht pronarë të lokaleve në sheshin ‘Bill Clinton’ po shprehen të shqetësuar lidhur me vjedhjet që po ndodhin në këtë anë.

Persona të dyshimtë kanë thyer disa lokale radhazi, duke grabitur çfarëdo që kanë arritur të marrin pas vetes.

Njësoj ka ndodhur edhe mbrëmë në orët e vona të natës. Personat e dyshimtë kanë thyer lokalin ‘Anita’, ku bëhet shitja e materialeve për fustane.

Lidhur me këtë rast Indeksonline ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

E njëjta ka konfirmuar se në orët e para të mëngjesit të sotëm është raportuar për një rast vjedhje të rëndë në tentativë.

“Sot rreth orës 04:00, është raportuar një rast vjedhje e rëndë në tentativë. Rasti ka ndodhur në një dyqan në rrugën Bill Clinton në Prishtinë, ku me forcë është thyer dera e dyqanit. Me rastin po merren hetuesit policor të stacionit jug në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti.

Indeksonline ka siguruar edhe një video ku shihen personat e dyshimtë duke dalë nga lokali ku edhe kryen vjedhjen.

Por jo kjo nuk është e tëra. Gjatë ditëve të kaluara në këtë pjesë të sheshit janë kryer edhe thyerje të lokaleve si: ‘Iva Cosmetics, Bizhuteria Anea dhe Furra Qerimi’.

Sipas banorëve të kësaj ane personat që kanë kryer këto vjedhje të fundit janë të njëjtit, kurse mbrëmë ata ikën nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit ‘Golf 2’ ngjyrë e kuqe.

Të njëjtit kanë shtuar se janë të detyruar të bëhen vetë roje të lokaleve, pasi që policia nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim./Indeksonline/