Grabitje në ‘Jaffa’ në Mitrovicë, dy persona nën kërcënimin e armës ia marrin punëtorit afër 10 mijë euro

Bizneset e ndryshme shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët arrijnë që herë të vetëm e herë në grup të vjedhin e të grabisin shumë të mëdha parash. Raste të tilla po krijojnë pasiguri dhe frikë për punëtorët, të cilët përballen me grabitësit që i kërcënojnë edhe me armë.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në restorantin ‘Jaffa’ në “Mitrovicë, ku dy persona nën kërcënimin e armës kanë arritur që të grabitin një shumë të konsiderueshme parash.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në parkingun e restorantit, teksa punëtori po priste që të dorëzonte pazarin ditor.

Të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur paratë nga viktima, të cilat kapin vlerën e rreth 10 mijë eurove.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit dhe të sigurohet prezenca e tij për intervistim.