Grenell i kundërpërgjigjet shefit të kabinetit të Osmanit

Ish-emisari special i Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i është kundërpërgjigjur Blerim Velës, shefit të kabinetit të Vjosa Osmanit, që tha se presidentja nuk e ka përkrahur projektin e gazsjellësit.

Grenell, pyeti Velën nëse përgjigja e tij do të thotë se presidentja Osmani, në fakt, e përkrah refuzimin e projektit të gazsjellësit.

“Pra, Vjosa Osmani tani e përkrah refuzimin e Marrëveshjes Ekonomike dhe ofrimin e projektit të gazsjellësit”, pyeti Grenell, Velën.

Shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela, i ka reaguar sot deklaratës së Richard Grenell, se “Osmani ua ka bërë të qartë ShBA-ve se nuk pajtohet me Kurtin.”

Ai, në një postim në Twitter sot gjatë ditës, tha se Grenell po gënjen kur iu referohet deklaratave të Vjosa Osmanit.

“Si shef i kabinetit të presidentes dua të informoj se Richard Grenell po gënjen kur i referohet deklaratave të Presidentit të Republikës së Kosovës”, shkroi Vela në Twitter.