Grenell: Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa parimin e reciprocitetit

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, tha se është kundër kushtit të parimit të reciprocitetit, të cilin vendos Kryeministri i Kosovës Albin Kurti për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin. “Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.

Kosova ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.

Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në një intervistë televizive duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti në lidhje me heqjen e taksës 100% për eksportet serbe në Kosovë dhe zëvendesimin e saj me parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet me Beogradin, tha se “gjërat nuk janë aq të thjeshta si jesh në opozitë dhe të flasësh pa përgjegjësi.”

Ai tha gjithashtu se Kurti duhet të kuptojë se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken dhe se kryeministri i ri i Kosovës nuk mund të flasë pa përgjegjësi, si të ishte në opozitë.