Tahiri: T’iu dalim në ndihmë të akuzuarve të Speciales, të respektohet baza ligjore

Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri ka thënë se si Qeveri do t’i marrin të gjitha masat që t’i dalin në ndihmë të akuzuarve të Speciales.

Tahiri në mbledhjen e Qeverisë ka shtuar se krejt kjo do të bëhet duke respektuar kornizat ligjore.

“Është një proces ligjor që shteti i Kosovës duhet ta trajtojë në mënyrën më serioze. Si Qeveri ne duhet t’i marrim të gjitha masat që t’i dalim zot në kornizën ligjore kolegëve tanë”, tha zv ministri Tahiri.

“Dje ishte një ndër ditët më të vështira me të cilat u ballafaqua Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Dje Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Kransniqi, dhe deputeti i VV-së Rexhep Selimi u ballafaquan me aktakuza nga Gjykata Speciale. Një situatë që për secilin shqiptar që frymon shqip është e rëndë – e konsiderojmë të padrejtë, por është një proces ligjor të cilin shteti i Kosovë duhet ta trajtojë në mënyrën më serioze. Deklaratat e tyre ishin tepër të dinjitetshme, thirrja për urtësi dhe qetësi tregon avancimin e shtetit të Kosovës në raport me drejtësinë dhe situatat që ne i konsiderojmë si të padrejta”, tha Tahiri.