Grenell vs. Borell/ SHBA ose BE kush po tregohet më e fuqishme karshi dialogut Kosovë – Serbi?

Të dy brenda një jave në Kosovë, por njëri u kthye prapa me dy marrëveshje ndërsa tjetri vetëm me fotografi të takimeve!

I Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Richard Grenell ka vizituar Kosovën ditëve të fundit, ku është takuar me presidentin Thaçi dhe përfaqësues të VV-së e LDK-së.

Grenell në vizitën e tij në Kosovë që i parapriu vizitës së tij në Beograd ka realizuar dy marrëveshje midis këtyre dy vendeve.

Njëra marrëveshje i takonte linjës ajrore Kosovë – Serbi, ndërsa tjetra për linjën hekurudhore midis këtyre dy vendeve. Marrëveshje këto të cilat u përshëndeten edhe nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Ndërsa sot, për vizitë në Kosovë ka qëndruar Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell i cili pati disa takime me krerë politikë në Kosovë.

Por, cili nga këto dy takime ishte më i efektshëm?!

Lajmi.net ka biseduar me njohësin e politikave të jashtme, Avni Mazreku i cili është shprehur se të dy vizitat janë më tepër marketing politik, por ka qenë kritik ndaj qasjes së BE-së.

“E para përpjekjet e të dërguarit Special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në funksion të disa iniciativave për disa marrëveshje që kanë karakter ekonomik, përveç të tjerash këtë e shoh edhe si tendencë të marketingut politik. Përveç të tjerash, duke mos i minimuzar përpjekjet e SHBA-ve për të gjetur zgjedhje, në këtë proces e shoh edhe marketingu politik kur e dimë se pozita politike e tij nuk është në momentet më të mira, pas gjyqit i cili po bëhet kundër tij”, tha Mazreku për lajmi.net.

Mazreku më tutje është shprehur se vizita e tij ka pasur efekte pozitive por gjithashtu ka qenë e destinuar edhe për marketing politik.

“Një intensitet i përpjekjeve të tilla në këtë fazë kur Kosova nuk ka institucione të reja të dalura nga zgjedhjet dhe institucionet e tanishme nuk kanë legjitimitet të merren me tema të mëdha, unë e shoh edhe si përpjekje të administratës së Trump-it, përkatësisht njerëzve të tij të besueshëm dhe njëri prej tyre është Grenell për njëfarë marketingu politik dhe reagimet e vet Trump-it për këtë marrëveshje gjithashtu automatikisht tregon se ka pasur tendencë të plasimit si sukses i politikës së jashtme amerikane. Pra përveç efekteve pozitive që i ka pasur”, tha Mazreku për lajmi.net.

Ndërsa sa i përket vizitës së Borell në Kosovë, Mazreku është shprehur se ai ka qenë ministër i një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe ka qasje destruktive në raport me Kosovën.

Vizitën e tij në Kosovë, Mazreku e ka cilësuar si mbulesë të dështimit të BE-së në politikën e jashtme dhe për konsum të tyre politik.

“Sa i përket Borell-it, unë aty shoh shumë kontradikta. Ky person personalisht ka qenë ministër i jashtëm i një shteti që nuk e njeh Kosovën. Nuk e dimë qëndrimin e tij karshi Kosovës edhe pse e ka ndërruar uniformën politike, përsëri ky është nga një shtet që është kategorikisht dhe shumë i zëshëm kundër Kosovës. Spanja është një nga shtetet më destruktive në zgjerimin e BE-së kur është në pyetje Kosova. Po ashtu vizita e tij aktuale pa qeveri, nuk e kuptoj legjitimitetin e takimeve të Borellit këtu dhe aktualisht BE është në hendikep me politikën e saj të jashtme, e shoh po ashtu si tendencë që të bëjë edhe ai një marketing politik, sepse edhe politika e jashtme e BE-së, përkatësisht përfaqësuesi i Lartë që nga zgjedhja e tij nuk ka pasur asnjë aktivitet tjetër dhe Kosova është një nga temat më të mëdha, por nuk do të ketë efekt konkret. Janë çështje të konsumit të tyre politik”, tha Mazreku për lajmi.net.

Në fund, Mazreku është shprehur se Kosova duhet të ndryshojë qasje ndaj BE-së dhe marrëveshja nëpërmjet Brukselit nuk është e duhura për arsye se BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“BE si organizim politik dhe ekonomik që ka rol ndërmjetësues në bisedimet Kosovë – Serbi, është shumë kontradiktor për faktin se BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës pra ka qëndrim neutral dhe nuk e di sa është e mirë të kalojë nëpër BE për të biseduar me Serbinë, kur BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo i ndihmon Serbisë edhe më tutje për shkakun se asnjëherë nga ana e BE-së nuk mund t’i imponohet Serbisë njohja e Kosovës pasi as vet BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Dhe Kosova quhet të ketë qasje tjetër ndaj BE-së”, tha në fund Mazreku.

Borell është bojkotuar sot nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët në konferencë për media kanë thënë se ky i fundit nuk i ndihmon dialogut Kosovë – Serbi.

Vlen të theksohet se Borell ka vizituar gjithashtu edhe qytetin e Prizrenit ku është pritur nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.