Arben Gashi: Kemi krizë politike që mund të zgjidhet në dy forma

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lëshuar sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku në rend dite ishin shqyrtimi i tri nismave legjislative që lidhen me trajtimin e pandemisë Covid-19.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi njoftoi për ketë në një deklarim për media duke thëne se në situatën në të cilën ndodhemi, kuvendi nuk mund të procedojë me këto nisma legjislative.

“Jemi në një situatë ku Kuvendi nuk mund të marrë vendim për këto ligje. Propozimet shtesë që ka ligji për ndarjet buxhetore, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2013, këtë nismë administrative mund ta ndërmarrë vetëm Qeveria e Kosovës, sepse është njëra nga të drejtat dhe përgjegjësitë themelore të qeverisë”.

“Natyrisht kuvendi mund ta plotësojë, ndryshojë por si e tillë nuk mund të ndërmerret nga kuvendi. Kuvendi me 2/3 mund ta ndryshojë rregulloren, ta anashkaloje me 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, por me u arrit kjo shumicë duhet të kemi konsensus politik. Por nuk kemi”.

Gashi theksoi se vendi gjendet në një krizë politike.

“Kemi krizë politike që mund të zgjidhet në dy forma. Të kemi një qeveri të re, partia që ka marre obligimin nga presidenti të marrë përsipër formimin e qeverisë. Nëse jo presidenti duhet të respektojë obligimet e veta kushtetuese, garantimin e funksionimit të institucioneve shtetërore. Nëse nuk realizohet asnjëra nga këto, atëherë zgjidhja e fundit janë zgjedhje”.

“Unë apeloj që kryeministri në detyrë t’i kryej detyrat e veta dhe të mos bëj shkelje kushtetuese, ta marrë përsipër formimin e institucioneve, nëse jo ta refuzojë”.

Kujtojmë që asnjëra nga nismat legjislative për trajtimin e pandemisë Covid-19, të diskutuara në mbledhjen e Kryesise së Kuvendit, nuk janë proceduar për në kuvend.